profilaksi001

Si ti pastrojm dhëmbët

– Teknika e larjës së dhëmbëve
Nuk është e rëndësishme vetëm të lahen dhëmbët pas çdo të ngrëni por edhe mënyra se si e bëjmë ate. Koha e mjaftueshme për të larë dhëmbët është minimum pesë minuta. Së pari pastrojmë pjesën e pëparme (vestibulare) të dhëmbëve duke i dhënë furçës drejtimin poshtë-lartë, pastaj me lëvizje rrotulluese duke i mundësuar furçës të futet në hapërirat interdentare (ndërdhëmbore). Pasi të kemi përfunduar me pjesën e përparme, futemi në pjesën e brëndshme të kavitetit oral duke bërë sërish lëvizje, fillimisht poshtë-lartë pastaj lëvizje rrotulluese me furçë.Pastaj furçohet sipërfaqja okluzale (përtypëse) e dhëmbëve. Pastrimi i kavitetit oral përfundon me pastrimin e hapësirave interdentare me anë të fillit dentar
Fluorizimi i dhëmbëve
Fluori është një element, prania e të cilit në dhëmbë e forcon strukturën e tyre dhe i mbron ata nga kariesi (prishja e dhëmbit). Inkorporimi i fluorit në strukturën e dhëmbit ndodh vecanërisht gjatë periudhës kur dhëmbët janë në formim e sipër,
konkretisht nga lindja kur dhëmbët e qumështit janë duke iu nënshtruar procesit të mineralizimit e deri në moshën 12 vjec kur përfundon formimi i dhëmbëve te përhershëm. Për këtë arsye në këtë periudhë ka rëndësi të vecantë marrja e sasive të duhura të fluorit.

Fluori mund të merret në dy rrugë:
1. Rruga e përgjithshme, nëpërmjet marrjes së ushqimeve që përmbajnë fluor, ujit të fluorizuar dhe nëse nevojitet, tabletave të fluorit.
2. Lokalisht, nëpërmjet përdorimit për larjen e dhëmbëve të pastave dhe shpëlarësve të gojës të fluorizuar ose nëpërmjet aplikimit profesional nga mjeku stomatolog i xheleve apo llaqeve të fluorizuara.
Si ndikon fluori në parandalimin e kariesit?

Fluori ndikon në parandalimin e kariesit nëpërmjet disa mekanizmave:
1. Inkorporohet në strukturën e dhëmbit duke e bërë atë më rezistente ndaj përbërësve acidë të prodhur nga bakteret.
2. Pengon humbjen e përbërësve mineralë të smaltit të dhëmbit dhe favorizon remineralizimin e tij duke ndikuar në këtë mënyrë në forcimin e strukturë së dhëbit ku procesi i prishjes sapo ka filluar.
3. Ndikon mbi bakteret që shkaktojnë kariesin duke neutralizuar veprimin e tyre mbi smaltin e dhëmbëve.

Pastrimi i Gurzave dhe Cipave
Gurëzat janë depozitime të forta me ngjyrë të verdhë në kafe, të cilat formohen si rezultat i fortësimit me kalimin e kohës të pllakës bakteriale të akumuluar mbi dhëmbë.
Si formohen gurëzat?

Mbeturinat ushqimore të akumuluara në gojë pas ushqimit së bashku me bakteret formojnë mbi sipërfaqen e dhëmbëve një biofilm të hollë i tejdukshëm ose me ngjyrë të bardhë në të verdhë të quajtur pllaka bakteriale, e cila eleminohet lehtësisht nëpërmjet larjes së dhëmbëve. Në rast të moslarjes, pllaka bakteriale akumulohet në sipërfaqe të tyre dhe mbi të depozitohen kripërat minerale të cilat shkaktojnë fortësimin e saj. Në këtë mënyrë formohen gurëzat, të cilat në ndryshim nga pllaka bakteriale nuk eleminohen dot nëpërmjet larjes së dhëmbëve, por kanë të nevojshëm pastrimin profesional nga mjeku stomatolog, procedurë kjo qe emërtohet procedura e pastrimit të gurëzave.

Ku formohen më shumë gurëzat?
Gurëzat formohen në ato vende ku për arsye të ndryshme qimet e furcës së dhëmbëve nuk arrijnë të depërtojne.Të tilla janë psh.sipërfaqet e dhembit në afërsi me mishin e dhëmbëve ( qafa e dhëmbit) dhe hapësirat ndërmjet dhëmbëve. Në këto vende është e vështirë që furca të realizojë një pastrim efektiv, gjë që kushtëzon akumulimin aty të pllakës bakteriale dhe të gurëzave.
Gurëzat formohen kryesisht në sipërfaqen gjuhore ( të brendshme) të dhëmbëve prerës të poshtëm, në nivel te sipërfaqes buzore (të jashtme) të dhëmballës së parë të sipërmë si dhe në dhëmbët, të cilët për arsye të ndryshme nuk marrin pjesë në funksionin përtypës. Mund të formohen në sipërfaqen e dhëmbit mbi mishin e dhëmbëve ose nën të.
Pse është e rëndësishme të realizohet pastrimi i gurëzave?

Pastrimi i gurëzave ka një rëndësi tëvecantë, sepse përfaqëson një ndër masat kryesore për parandalimin e sëmundjeve të mishrave të dhëbëve. Faktori kryesor që ndikon në shfaqjen e këtyre sëmundjeve janë pikërisht gurëzat e akumuluara në sipërfaqe të dhëmbëve, vecanërisht ato që vendosen nën nivelin e mishit (gingivave). Prania e tyre shkakton irritim dhe inflamacion të mishrave të dhëmbit gjë që manifestohet me skuqje, enjtje dhe gjakrrjedhje nga mishrat gjatë larjes së dhëmbëve, gjatë përtypjes së ushqimeve të forta dhe në raste të rënda gjakrrjedhja mund të ndodhë edhe spontanisht. Nëse nuk realizohet pastrimi i gurëzave, procesi avancon më tej duke shkatuar shkrirje të kockës që mban të fiksuar dhëmbin në gojë, tërhqje të mishrave të dhëmbëve dhe lëvizshmëri të dhëmbit. Pikërisht për të parandaluar në kohë shfaqjen e këtyre dëmtimeve të parikthyeshme dhe për të lejuar mishrat e dhëmbëve të rikthehen në gjendjen e tyre normale realizohet pastrimi i gurëzave.

Si realizohet procedura e pastrimit të gurëzave?

Pastrimi i gurëzave është një procedurë e cila realizohet nga mjeku stomatolog dhe konsiston në largimin e gurëzave nga sipërfaqet e dhëmbëve nëpërmjet thërmimit të tyre me anë të një instrumenti të posacëm ultrasonik dhe më pas lustrimin e tyre me furcë dhe pastë.Kjo procedurë është relativisht e padhimbshme dhe nuk i dëmton dhëmbët.Në përgjithësi ajo duhet kryer cdo 6 muaj ose cdo 1 vit, megjithatë në individë të ndryshëm sasia dhe ritmi i formimit të gurëzave është i ndryshëm e për pasojë dhe intervali ikohës nga një pastrim në tjetrin ndryshon nga individi në individ.

Mbushjet e Fisurave
Cfarë është mbushja e fisurave?

Mbushja e fisurave është një metodë parandaluese efektive, e cila konsiston në vendosjen e një materiali të vecantë vulosës në fisurat (thellimet) dhe gropëzat e sipërfaqes përtypëse të paradhëmballëve dhe dhëmballëve duke parandaluar në këtë mënyrë prekjen e tyre nga kariesi (prishja e dhëmbëve).

Pse realizohet ajo?

Faktori kryesor që ndikon në prishjen e dhëmbëve janë bakteret e pranishme në pllakën bakteriale (një biofilm i akumuluar në sipërfaqe të dhëmbëve si pasojë e depozitimit të mbeturinave ushqimore dhe baktereve). Larja e dhëmbëve realizohet pikërsiht për të eleminuar pllakën bakteriale të depozituar mbi dhëmbë. Megjithatë në disa raste anatomia e dhëmbëve është e tillë që nuk lejon pastrimin efektiv të sipërfaqes së tyre. I tillë është rasti i sipërfaqes përtypëse të dhëmballëve, e cila përmban shumë thellime dhe gropëza në të cilat, vecanërisht kur janë të ngushta e të thella, është e pamundur të depërtojnë qimet e furcës edhe kur ju i lani dhëmbët rregullisht. Pllaka dentare e akumluar aty me kalimin e kohës bëhet shkak për prishjen e dhëmbit dhe shfaqjen e kaviteteve. Pikërisht për të parandaluar këtë fenomen realizohet mbushja e fisurave me materiale të quajtura silante të cilat mbushin dhe vulosin fisurat e thella dhe krijojnë një sipërfaqe të lëmuar, e cila pastrohet lehtësisht nga furca e dhëmbëve.

Në cfarë moshe duhet të realizohet ?

Në përgjithësi mbushja e fisurave realizohet tek fëmijët, në dhëmballët e tyre të sapoeruptuara sipërfaqja përtpëse e të cilave përbëhët nga fisura të thella në të cilat meqënëse smalti është më i hollë se në pjesët e tjera të dhëmbit , risku i prekjes nga kariesi (prishja e dhëmbëve) është më i madh. Për këtë arsye mosha më e përshtatshme për vendosjen e tyre është ajo 6-7 vjecare, periudhë gjatë së cilës dalin në gojë dhëmballët e para të përhershme, si dhe mosha 11-14 vjecare gjatë se cilës dalin paradhëmballët dhe dhëmballa e dytë e përhershme. Megjithatë silantet mund të vendosen edhe në dhëmballët e të rriturve në rastet kur për shkak të fisurave të thella ekziston rreziku i shfaqjes së kaviteteve.

Për sa kohë zgjat?

Jetëgjatësia e silanteve të vendosura në sipërfaqet përtypëse të dhëmballëve varion mjaft. Në përgjithësi një procedurë e mbushjes së fisurave konsiderohet e suksesshme kur silanti qëndron intakt mbi dhëmbë për 3-5 vjet. Megjithatë janë jo të rralla rastet kur silantet e vendosura gjatë fëmijërisë qëndojnë intakte për vite me rradhë dhe mund të vrojtohen në gojë edhe në moshën e rritur. Nga ana tjetër edhe nëse silanti bie përpara se të jene mbushur 3-5 vjet nga vendosja e tij, kjo kurrsesi nuk duhet konsideruar si një insukses, sepse për aq kohë sa është i pranishëm në sipërfaqe të dhëmbit, silanti siguron mbrojtjen e saj nga kariesi. Është e rëndësishme të theksojmë që silanti e realizon rolin e tij mbrojtës dhe profilaktik vetëm nëse ai është plotësisht intakt. Nëse vëreni se një pjesë e tij ose i gjithë silanti është shkëputur nga sipërfaqja e dhëmbit duhet t’ja bëni të ditur këtë dentistit tuaj në mënyrë që ai ta zëvëndësojë atë.

Si realizohet mbushja e fisurave?

Teknika e mbushjes së fisurave është një procedurë e thjeshtë, pa dhimbje, e cila konsiston në aplikimin e silantit në fisurat e thella të sipërfaqes përtypëse te paradhëmballëve dhe dhëmballëve dhe fortësimin e tij me anë të dritës së llampës halogjene.

Konkretisht, hapat që ndiqen janë:
1. Pastrimi i sipërfaqes përtypëse të dhëmballëve dhe paradhëmballëve me furcë dhe pastë abrazive për të eleminuar plotësisht pllakën bakteriale duke kijuar në këtë mënyrë kushtet për adezionin optimal të silantit me sipërfaqen e dhëmbit.
2. Vendosja e acidit në formë xheli në fisurat ku do të aplikohet silanti. Acidi ka veti të “gdhendë” sipërfaqen e smaltit duke krijuar në të parregullsi në të cilat do të depërtojë silanti duke siguruar kështu një adezion dhe retension maskimal të silantit me dhëmbin.
3. Shpëlarja e acidit, izolimi i dhëmbit nga pështyma dhe tharja e tij. Pas kësaj etape e në vazhdim, ka një rëndësi të vecantë mbrojtja e dhëmbit nga lagështira, prania e së cilës në sipërfaqe të dhëmbit do të kompromentonte adezionin e silantit me dhëmbin dhe për pasojë edhe qëndrushmërinë dhe jetëgjatësinë e tij.
4. Aplikimi i silantit në nivelin e fisurave të dhëmbit dhe fortësimi i tij me anë e dritës së llampës haolgjene.
5. Kontrolli në kafshim ( dentisti do t’ju kërkojë të mbyllni gojën dhe të bashkoni dhëmbët me njëri-tjetrin) për të parë nëse silanti ju pengon gjatë mbylljes së gojës apo lëvizjeve të nofullës. Në këtë rast, bëhet eleminimi i tepricës së silantit me frezë. Menjëherë pas vendosjes së silantit mund të ushqeheni normalisht.